来源:Ambasada Kineze në Shqipëri 类型:原创 分类:新闻
2015-04-01 16:18
Ambasadorja e re e Kinës në Shqipëri, znj. Jiang Yu, i dorëzoi të mërkurën në Tiranë letrat kredenciale presidentit të Shqipërisë Bujar Nishani. Në ceremon ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga të dyja palët, si zv.ministri i Jashtëm shqiptar Selim Belortaja, këshilltari diplomatik i presidentit të Shqipërisë Valter Ibrahimi, drejtori i Portokollit në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë Ermal Muça dhe këshilltari i ambasadës kineze në Tiranë Ma Lihui.
Në fillim ambasadorja Jiang Yu i përcolli presidentit Bujar Nishani përshëndetjet e ngrohta të kryetarit të shtetit të Kinës Xi Jinping. Nga ana e tij, edhe presidenti Nishani shprehu përshëndetje të ngrohta dhe urime të përzemërta për homologun e vet kinez Xi Jinping.
Presidenti Bujar Nishani u shpreh se Shqipëria dhe Kina kanë një miqësi të thellë dhe një traditë të mirë bashkëpunimi. Populli shqiptar ka pasur gjithmonë ndjenja miqësore për Kinën dhe i vlerëson përpjekjet e pandërprera të popullit kinez për ruajtjen e pavarësisë dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Z. Nishani vlerësoi lart rolin e palës kineze në çështjet ndërkombëtare, duke u shprehur se Kina, si një fuqi me ndikim të madh, ka dhënë ndihmesë të rëndësishme për paqen dhe stabilitetin në botë.
Presidenti shqiptar vuri në dukje gjithashtu se vitet e fundit marrëdhëniet mes dy vendeve janë zhvilluar në mënyrë pozitive. Ai tha se Shqipëria është e gatshme të shtojë më tej bashkëpunimin me Kinën në fusha të ndryshme, të vazhdojë të eksplorojë potencialet dhe të zgjerojë më tej bashkëpunimin dypalësh.
Ambasadorja kineze Jiang Yu, nga ana e saj, i shprehu presidentit Bujar Nishani përgëzime për arritjet e Shqipërisë në zhvillimin ekonomik e shoqëror, në përmirësimin e jetesës së qytetarëve dhe procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Ambasadorja Jiang theksoi se, megjithëse Kina dhe Shqipëria ndodhen larg, ato kanë një miqësi të vjetër tradicionale. Znj. Jiang përmendi se Shqipëria është ndër vendet e para që njohën Republikën Popullore të Kinës dhe ka dhënë një ndihmesë të rëndësishme për kthimin e vendit të ligjshëm të Kinës në OKB, gjë që populli kinez nuk e harron. Pala kineze e falënderon palën shqiptare për përkrahjen e dhënë lidhur me çështjet e rëndësishme të sovranitetit dhe sigurisë kombëtare të Kinës. Ambasadorja e re kineze në Tiranë u shpreh gjithashtu se vitet e fundit marrëdhëniet mes Kinës e Shqipërisë janë zhvilluar shumë mirë, kanë vazhduar vizitat e liderëve të lartë, shkëmbimet ekonomiko-tregtare janë zgjeruar, shkëmbimet njerëzore janë shpeshtuar dhe baza e miqësisë mes dy popujve është forcuar më tej.
Ambasadorja Jiang Yu theksoi po ashtu se Kina i kushton vëmendje të madhe zhvillimit të marrëdhënieve me Shqipërinë. Në kushtet e reja, Kina dhe Shqipëria ndodhen përpara rasteve të reja të zhvillimit. Të dyja palët duhet të shfrytëzojnë mundësinë e mirë që paraqitet për zhvillimin e bashkëpunimit konkret në bazë të marrëdhënieve të mira politike, duke nxitur zhvillimin e thellë, të gjithanshëm e të shëndetshëm të marrëdhënieve të bashkëpunimit miqësor mes tyre. Ambasadorja kineze u shpreh se, gjatë qëndrimit të saj në këtë detyrë, do të forcojë më tej komunikimin dhe bashkërendimin me qeverinë dhe qarqet e ndryshme në Shqipëri, për të pasur rezultate të reja së bashku me palën shqiptare në nxitjen e marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve.
Në vijim ambasadorja Jiang bëri një paraqitje të shkurtër të diplomacisë kineze dhe të gjendjes së përgjithshme të zhvillimit në Kinë. Ajo theksoi se Kina do të ngulë këmbë në një diplomaci paqësore e të pavarur dhe në strategjinë e hapjes me përfitime të ndërsjella, duke nxitur krijimin e marrëdhënieve të reja ndërkombëtare me përfitimet e përbashkëta dhe bashkëpunimin në thelb. Zhvillimi i ekonomisë kineze u ofron vendeve të ndryshme më shumë mundësi për tregti dhe bashkëpunim, vuri në dukje ambasadorja e re e Kinës në Tiranë Jiang Yu, duke shtuar se pala kineze do të përpiqet për zhvillimin e përbashkët të vendeve të ndryshme nëpërmjet bashkëpunimit me përfitim të ndërsjellë.